Këpucët

Fillimisht, rrëfimin e nisa me fraza të tipit se sa e dashuroj botën e përrallave, sa mirë ndihem të jem herë Liza në Botën e Çudirave e herë Borëbardha, se më pëlqen të flas me pemët, më pëlqen të fluturoj dhe ta përjetoj botën e personazheve, se në atë botë ndihem vërtet 'unë', ku askush nuk ma pret hovin për të më thënë se ç'është e drejtë dhe e gabuar, siç më ndodh në përditshmëri, se më pëlqen t'i përvidhem realitetit të ashpër të vendit tim, me njerëz gënjarë, politikanë të korruptuar deri në palcë, varfëri që shërbehet gjithmonë si një pjatë e ngrohtë për pjesën më të madhe të njerëzve, ndërsa të kamurit e paedukuar hanë me lugë floriri, me vajza të pispillosura  e bla, bla, bla pa fund. Jo se këto që sapo shkruajta nuk janë të vërteta, por mendova ta rrëfej më thjesht atë çka më ndodhi atë ditë, që dashje pa dashje më çoi drejt një personazhi tjetër përrallash. Kini durim!

Sapo kisha çuar syzet e djalit për t'i rregulluar në klinikën optike "Genova", në rrugën "Myslym Shyri". Atje jemi abonuar si familje. Çdo shqetësim e ndajmë me doktor Klevesin. Kemi krijuar besim të plotë tek ai, pas një sorrollatjeje të gjatë në amullinë e klinikave e reklamave pa fund.
Pas një "dyluftimi" të ashpër loje, ku djali ishte Goku dhe vajza Sakira (shpresoj mos të gabohem për emrat e personazheve), syzet përfunduan me bisht të thyer. Besoj e merrni me mend acarimin tim: ishte hera e katërt brenda dy muajve, që më duhej t'i çoja për rregullim. S'kisha rrugë tjetër. Doktori qeshi sapo më pa. Ishte mësuar edhe ai tashmë me proçkat e tim biri. Fat i madh që skeleti i syzeve ka një përbërje të veçantë, si gomë e butë, që nuk shkakton lëndim tek fëmija. I dorëzova syzet dhe vendosa të bëja një shëtitje në këmbë, pasi m'u tha se për një orë syzet do të ishin gati. U gëzova. Kështu eliminoja vajtje-ardhjet nga shtëpia.
Dola. Pasditja ishte e zhurmshme. Makina e njerëz që derdheshin lum rrugëve. "Fshatarët" kishin zaptuar gjysmën e trotuareve me produktet e tyre "bio". Nuk dija nga t'i drejtoja këmbët. Mendova të pija një kafe në harkun kohor 'rregullimi i syzeve', sepse i kisha dhënë fjalën vetes se nuk do të hidhja as edhe një sy nga vitrinat. Nuk ia kisha shumë ngenë atë muaj të bëja shpenzime egoiste të tipit më-pëlqen-shumë-ndaj-duhet-ta-marr-patjetër. Ajo rrugë është e tejmbushur me dyqane, ndaj duhej ta kujtoja premtimin për t'i bërë ballë tundimit. As për kuriozitet nuk duhej t'i lexoja ofertat e tipit "Ulje drastike", "70% ulje", "Paguaj 1 dhe të dytën e merr me 50%", që shkarravisnin xhamat e dyqaneve dhe në pjesën më të madhe janë mashtrime. OK, i thashë vetes, ti e di që e mban fjalën. Tani, si vajzë e mirë, ulu e shpenzo 120 lekë për makiato pa shkumë, e mos bëj harxhime të tepërta.
Teksa kërkoja një bar ku të ulesha, kuptova se po ecja me kokën e kthyer në të majtë, ndërsa vitrinat marshonin në të djathtën time. Njerëzit do kujtonin se isha çmendur. S'ka gjë, i thashë vetes, drejtoje shikimin. E në të daltë diçka e bukur përpara, ti do provosh se i bën ballë tundimit. Kujto shkollën e fëmijëve që duhet paguar, faturat e shumta, qokat e muajit e aq më tepër që ke edhe ditëlindjen e nipçes së vogël, që të quan "xhepi im". Duhet të mendosh për një dhuratë të bukur, që ta kënaqësh atë fëmijë të ëmbël. Me rrogën që merr nuk mund t'ia dalësh edhe këtyre, edhe blerjeve për qejf.
E mbusha mendjen plotësisht se harxhimi i tepërt nuk ishte kryefjala e asaj dite, ndaj me një krenari të shfaqur, që ma falte veç siguria në vetvete, hodha flokët pas me një të përdredhur të kokës (vajzat e reklamave do më kishin pasur zili atë moment) dhe çava përpara mes morisë së njerëzve. Befas dëgjoj tingujt e një prej këngëve të mia të preferuara "Remember when" të Alan Jackson. E kisha vënë si zile telefoni. Si për inat të situatës, një prej mikeshave të mia filloi të më tregonte se kishte shpenzuar katër orë të mira nëpër dyqane dhe se nesër do të më suprizonte me fustanin e ri.
Bëhu gati! - më tha - Po të përgatis sot, që nesër mos të të shkojë gjuha poshtë. Kjo e fundit është një nga shprehjet e preferuara për të. Zakonisht e lidh me togfjalëshin "shefe zifti", sepse e ka me qejf t'u hakërrehet eprorëve, por sot preferoi ta përdorë me mua, si për ironi të gjithë skenarit që kisha thurur deri në ato momente.
Dreq, belbëzova. Ajo kukurisi dhe mbylli telefonin. Bomba ishte hedhur, por unë shpresova se do përfshihesha veç nga tymnaja. Asnjë cifël e saj nuk do më prekte. Jo, jo, nuk do më prekte. E kisha mendjen top. Asnjë shpenzim. Asnjë veshje e re s'do bënte hije në dollapin e tejmbushur. Si tha, pazar? Blerje? Fustan i ri? Po ç'dreqin kanë këta njerëz xhanëm. Përse kujtojnë litarin në shtëpinë e të varurit?! Përse kur kërkoj t'i them vetes "shëndet!", më bëjnë t'i them "plaç!"?! Përse?!
Ndalova hapat për t'u siguruar që celulari të përfundonte në thellësi të çantës. Nuk doja ta dëgjoja më Alan Jackson për një orë. Më kishte ardhur në majë të hundës telefoni. Rrofshin ofertat e kompanive për impulse falas e për një gjë e cëëëërrrrrr. Gjithkush për gjithçka. Më mirë t'ia hiqja zilen fare. Nuk doja të rrezikoja. E nxora sërish dhe teksa po heshtja iPhonin tim të lodhur, sytë pa dashje u përplasën me... me... Mooooosssssss! Rreziku po më kanosej përpara. Në vitrinë, rrethuar me ca copëza shkuma deti me ngjyra e forma të ndryshme, flinin një palë këpucë shumë të bukura e të rafinuara. Dekolte, në ngjyrë blu të errët, fine dhe me takë të hollë. I përfytyrova në këmbë, në një mbrëmje feste, ku mikeshat do zinin gojën me dorë: "Ohhh, sa elegante!". Ishin nga ato këpucë që flasin 'jemi-këtu-për-të-lumturuar' e që të bëjnë ta hapësh portofolin pa t'u dridhur dora. I dashurova sapo i pashë, por edhe më shumë kur i vesha, aq sa harrova të pyesja për çmimin. Por për këtë detaj u tregua e vëmendshme shitësja. Aq shumë duhet ta kem reflektuar lumturinë në fytyrë, sa ajo nxitoi të thoshte: "Ia vlen të dukesh bukur me Blade të realizuara nga Casadei. Këpucët e tij i veshin aktoret e Hollywood-it: Cameron Diaz, Victoria Beckham etj. U ndrisin në këmbë! Dhe të mendosh që nuk janë shumë të shtrenjta. Me ulje shkojnë 120 euro".
Saaaaa?! Po unë e kisha vendosur që do harxhoja vetëm 120 lekë për makiato pa shkumë(askush nuk ta zbriste 20-lekëshin për shkumën e munguar (!)). Dhe nuk jam as artiste filmash e as topmodele. Në fakt, në fakt, nëse i bie pak lapsit, një zero pas nuk është se bën diferencë të madhe, përpos faktit të konvertimit nga lekë në euro. Në fund të fundit, malli i mirë nuk blihet lirë. Cesare Casadei kishte derdhur artin në ato këpucë dhe unë do të ndihesha vërtet si një princeshë e bukur.
Jo, jo, i kisha dhënë fjalën vetes dhe do ta mbaja: asnjë blerje për sot! Casadei nuk ishte aty të dëshpërohej për fatin e artit të tij. Nuk është se nuk i pëlqeva. Madje i dashurova, por... por...
T'i fus në kuti? - më ndërpreu shitësja - Mos u mendo gjatë. Veç dy numra janë. Je me fat që i gjete. Janë firmato.
Ah, fjala "firmato" po na e ha shpirtin këto vitet e fundit. Në fakt, nuk jam shumë e fiksuar pas firmave; mjafton të jetë mall i mirë dhe i bukur. Nuk e vrava mendjen nëse ishin imitim apo jo, nëse vërtet ato këpucë ishin bërë nga dora e atij italiani (një burrë tullac dhe aspak i pashëm, për shijet e mia, por ama me artin e tij vishte artistet nëpër gjithë botën). Ato këpucë ishin magji më vete edhe në këmbë. Sa rehat dhe bukur ndihesha.
Ia lashë shitëses në dorë dhe ia mbatha. Bari më i afërt ndalonte pirjen e duhanit. Mos! Persekutim më dukej në ato momente. Kisha vërtet nevojë për një cigare. Tek tavolinat jashtë mund të pini - m'u drejtua kamerieri, një djalosh pa kurrfarë mimike. Ishte e kotë të mendoja se po të kisha veshur Blade-t, kamerieri do më toleronte. Ai ngjasonte me një statujë të ngrirë me rrota. Harrova ta porosisja mos t'i hidhte shkumë makiatos. Varja, s'është aq e dëmshme sa tymosja. Pas cigares së dytë, mendja kishte gjetur çdo justifikim të mundshëm për mosblerjen e këpucëve: ke shumë të tilla në shtëpi, por tek e fundit ato nuk janë "Këpucët e zgjuara" me lidhje Bluetooth-i, që janë shpikur për të na treguar rrugën. Për 100 dollarë, ato do të përdorin lidhje komunikimi me hartat e celularit, do na drejtojnë, do numërojnë hapat, kaloritë që do djegim etj. Janë të zgjuara dhe të vlefshme; nuk do vishen vetëm për ndonjë mbrëmje e kaq. Bota e kurioziteteve dhe risive më ka tërhequr gjithmonë, ndaj shpesh lundroj nëpër internet në kërkim të tyre. Dhe mirë bëj; ja ku më del një i tillë si justifikim për të mos harxhuar para më kot. Dhe ato do kushtojnë vetëm 100 dollarë, jo 120 euro!
Por pjesa tjetër e trurit ulërinte: këpucët janë të rëndësishme për një femër. Mund të tregojnë se kush është ajo, çfarë pozite ka në shoqëri, madje-madje, sipas disave këpucët flasin edhe për karakterin. Femra ka nevojë për shumë këpucë: me ngjyra, material dhe modele të ndryshme, sipas stinëve dhe përshtatjes me veshjet. Ufffff. Koka po më ziente. E kam të qartë që ti miku im që po lexon tani nuk mund ta kuptosh këtë mani të femrave dhe dashurinë e tyre për këpucët. Por ja që është kështu! Po, po, kështu dhe s'e luan as topi.
Përpara filxhanit të kafes mu kujtua që këpucët ishin përdorur edhe për qëllime 'kriminale'. Hilari Klinton, ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, që para një viti vizitoi edhe vendin tonë, u qëllua me këpucë gjatë një fjalimi në Las Vegas. Nga një femër! Në vitin 2014!
Në Irak, një gazetar gjuajti me të dyja këpucët ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush,  gjatë një konference për median, duke e quajtur "qen". Për këtë rast, Bushi tha se personi thjesht kishte kërkuar të tërhiqte vëmendje. Dhe këtë e bëri me këpucë. Kur gazetari kërkonte vëmendje me heqjen dhe flakjen e këpucëve, përse unë të mos e kërkoja duke i mbathur ato?!
Do më quani maniake këpucësh, po t'ju them se i bleva? Prisni, se ka edhe më. Ka edhe më keq!
U riktheva. I mora, por para se të largohesha shitësja mu lut të plotësoja një formular, në mënyrë që të merrja kartën e klientit. Nëpërmjet saj do përfitoja ulje pas çdo blerjeje. Kartën mund ta tërhiqja herës tjetër që do shkoja. Nuk di sa karta të tilla ka nëpër çantat e mia, gjithsesi e shtova edhe me një numrin e tyre. Rrëmbeva këpucët dhe u largova. Mora edhe syzet e djalit, i hipa makinës dhe drejt e në shtëpi. Rrugës bëja disa llogari me vete: do limitoja lëvizjet me makinë, gjatë ditës vetëm një kafe dhe gjysmën e numrit të cigareve që pija zakonisht, nëse do më ftonin mbrëmjeve për ndonjë gotë verë do dredhoja e s'do dilja(këpucët ngeleshin për festat gjatë muajit pasardhës apo për festat ku s'më duhej të paguaja gjë), dhuratat dhe qokat do t'i limitoja sa të mundesha, librat do t'i merrja borxh te shoqet, do hiqja dorë nga pica e së dielës dhe këpucët e radhës do bliheshin pas gjashtë muajsh (nuk di sa munda ta gënjeja veten me këtë të fundit). Kulmin e arrita kur mendova të merrja ushqim me vete në punë.
Nejse. Gjithçka kishte përfunduar. Këpucët i lashë në bagazhin e makinës, për t'i shpëtuar vështrimit të sime bije, që ato kohë kishte nxjerrë parullën: "Lekët e babit janë edhe të mamit; lekët e mamit janë vetëm të mamit". Hall i madh me këta fëmijët e sotëm; më shumë më kontrollon dhe kërkon llogari ime bijë, sesa im shoq. Me këtë të fundit madje s'kam probleme fare. Më e bukura është kur më thotë "t'i gëzosh" për gjëra që i kam mbajtur varur në dollap për më shumë se dy vjet (!).
Kisha shpenzuar, por jo aq sa i takonte në të vërtetë artit të Casadei-t - me këtë justifikim munda të fle e qetë dhe e kënaqur.
Dita e çeli syrin me një tis të hollë mjegulle. Si çdo mëngjes, unë në vrap e sipër rendja nëpër shtëpi për të bërë gati fëmijët dhe veten. Përherë me pak vonesë për në punë. Tek porta e madhe e institucionit mu kujtua 'paralajmërimi' i Rozit në telefon. U përgatita shpirtërisht për të parë fustanin e ri "bombë", kur Alan Jackson filloi refrenin e tij. Numri ishte i panjohur. Zëri përtej filloi të ulërinte:
- Duhet të vish menjëherë në dyqan! Ke marrë këpucën time!
Çfarë?! Ç'ishte gjithë ky shpërthim që në pikë të mëngjesit, kur ende s'më ishte larguar mirë gjumi nga qepallat?! Vajza nga ana tjetër e telefonit nuk e kishte mësuar, me sa dukej, asnjëherë fjalën magjike "të lutem" apo përshëndetjet e rastit.
- Mirëmëngjes! - i thashë qetë-qetë. Mos po më ngatërroni me dikë tjetër?
Zëri ulëritës u bë edhe më agresiv.
- Dje ke blerë Blade-t 120 euroshe? Duhet të vish në dyqan, me këpucët, lëri llafet!
Nuk po kuptoja gjë. Ç'lidhje kishin këpucët që kisha blerë me të? Mos vallë ajo kishte lënë kapar për to dhe shitësja nga harresa i kishte shitur? E mbylla telefonin. I shkruajta një mesazh:"Mirëmëngjes! Kështu fillon komunikimi. Ma thuaj me sms çfarë problemi ka". Pa shtypur ende butonin "send", celulari tringëllon sërish.
- Dëgjo këtu ti, se miqtë e mi avokatë mund të ta gjejnë edhe adresën e shtëpisë. Sill urgjent këpucën time!
Iu riktheva edhe një herë mesazhit. Shtova edhe fjalinë "E ke shumë acarues zërin" dhe e nisa.
"Qenke psikopate ti (fillonte mesazhi kundërpërgjigjës). Dje ke marrë një këpucë me numër 36-a dhe një 37-a. Duhet të më sjellësh 37-n". Unë e kam shkruar drejt këtu, por mesazhi i saj ishte me fjalë gjysmake dhe nuk ekzistonte asnjë "ë" fundore. Dhe unë që i kërkoja edukatë!
"Përse të mos ma sjellësh ti 36-n?"
"Nuk ta kam ngenë ty. Kam një festë sot e duhet të vesh Blade-t. Ma sill brenda një ore numrin tim!".
"Bëfsh qejf, atëherë!"
Hyra në zyrë. Këpucët i kisha ende në bagazhin e makinës, por nuk e bëra qejfin qeder. E çmendura e telefonit duhej të mësonte si të sillej.
Pas një ore celulari ra përsëri. I njëjti numër.
- Moj po qenke e goditur ti. Përse nuk e ke sjellë ende këpucën? Duhet t'i vesh patjetër sot.
"T'i gëzosh! Nuk e kam problem ta vesh një 37-a". Dhe në atë çast imagjinova Cesare Casadei-n, që i binte të fikët teksa shihte në këmbët e mia dy numra të ndryshëm këpucësh.
Mesazhet e tjera nuk po i shkruaj, por ishin aq ofenduese, sa s'mund t'u besoja syve teksa i lexoja. Një vajzë që do festonte mes avokatësh, kishte bërë betimin për lemerisje të miletit. U pendova që e kisha plotësuar atë dreq formulari dhe kisha lënë numrin e telefonit atje. Në një prej sms-ve kishte shkruar se veç mos t'i dilja përpara, se do përfundoja poshtë rrotës së makinës të dashnorit të saj të pasur e të fortë. Ku-ku! - do thërriste një malësore, në këtë rast. Dhe unë që kisha konkurruar vetë 'lartmadhërinë' e saj, duke blerë të njëjtat këpucë. Aty i hoqa përfundimisht vizën faktit se këpucët flasin edhe për karakterin e njeriut. Ajo ishte mijëra vite dritë larg meje e gjithkujt që kisha njohur deri atëherë. Hilari dhe Bush duhet të jenë të bekuar, që nuk provuan "takën" e këpucës së kësaj të pacipe.
 Më pas më telefonoi vetë shitësja e dyqanit e më kërkoi falje për ngatërresën që kishte bërë. Pa dashje kishte futur dy numra të ndryshëm në kuti dhe mu lut ta lija të vinte ku isha për ta rregulluar gjithë gjurrulldinë, se vajza që ulërinte ishte vetë dashnorja e pronarit e rrezikonte të fluturonte nga puna. Nuk e lashë të vinte. Shkova unë tek ajo e mjera, që dridhej nga kërcënimet e "unë-di-se-kujt-ia-jap".
Dhe unë u ndjeva vërtet si personazh përralle; po më kërkonin me këpucë në dorë dhe në vesh më ulërinte një nga motrat e Hirushes.

2 comments: