Grua për t'u njohur

Hapi sytë dhe ndjeu se një vrushkull i ngrohtë gjaku i shpërtheu nëpër kofshë. Ç'bezdi! Gjithmonë i kishte ndjerë bezdisëse ato fragmente jetësore të ciklit të çdo femre, ndonëse ishte e vetëdijshme për të mirat e tyre. Mezi duronte aromën e trupit dhe pecetat higjenike në ato gjashtë ditë të muajit. I dukej sikur me to nuk do të mësohej kurrë.
Në një gjendje tjetër do t'i qe kujtuar dita e parë e prezantimit me këtë fenomen femëror; hutimi dhe frika që pat ndier, por atë mëngjes, jo. U kujtua se duhej të lumturohej për atë surprizë. Po po, duhej të lumturohej vërtet. Jo se nëpërmjet kësaj sajese të natyrës do mund të shpëtonte prej diçkaje të pakëndshme, por... gjithsesi, tani që po e mendonte mirë, ishte pikërisht ashtu... Do shpëtonte! Natyra i kish ardhur në ndihmë. Shpëtim i një tjetër lloji që kishte ndier sa e sa herë më parë, në kushte dhe gjendje të tjera; kur i trembej shtatzënie të mundshme; shtyrjen e datave për t’iu kënaqur plotësisht një udhëtimi të bukur apo pushimeve në plazh, e të tjera ditë si këto. Këtë herë ishte ndryshe.

Iu duk vetja e ulët, perverse! Megjithatë e pranoi se u lumturua që këmisha e natës i qe njollosur nga ai lëng plot jetë, me ngjyrë të errët e aromë jo të këndshme: do të mund të shpëtonte nga kryerja e ritualit të seksit “të detyrueshëm”. Kaq e vogël kishte qenë gjithmonë?! Këtë pyetje ia drejtoi vetes pothuajse me zë të lartë dhe e frikësuar ktheu kokën nga ai burrë që flinte ende në shtratin e saj, që për gjithë natën e për sa e sa net të tjera kishte qenë aty, afër saj, me ledhatime, largësi, dashuri, urrejtje, pasion... Kishte më? Nuk i interesonte se sa ishte plotnia e ndjesive që kishin ndarë bashkë. Mjaftonte që për disa ditë ajo e kishte një justifikim të ligjshëm për të mos hyrë thellë tek njëri-tjetri. U ndje mirë dhe e vogël. Përsëri e vogël. Nuk mundej të gjente një epitet tjetër për veten. Ndoshta nga ngazëllimi apo frika ndaj ngazëllimit. E në fund të fundit, ajo ishte një qenie njerëzore; kishte të drejtë të ndiente dhe përjetonte ç't’ia donte kokrra e qejfit. Tashmë, pa asnjë bezdisje, por edhe e palumtur, u ngrit nga shtrati dhe iu drejtua banjës. U kujtua se atë ditë nuk e priste asgjë e ngutshme për të dalë nga shtëpia, por megjithatë vendosi të nxitonte. Gjithçka që ndodhte dhe bënte, ishte kundër rrjedhës së jetës dhe organizimit të saj shqisor. Teksa rrekej mes avujve të ngrohtë të ujit dhe mendimeve, mbi syprinën e mermertë të pllakave iu vizatua fytyra e filozofit: bashkëbisedimi i heshtur, por shumë i vrullshëm, nisi si një pikës uji, që as nuk i dihet ku e ka lindjen, aq më tepër vdekjen; për këtë të fundit besonte se nuk ndodhte kurrë.
-Dikur,- nisi t'i thoshte filozofi,- ke qenë qenie dyfytyrëshe, dyseksore, katërkëmbëshe, katërkrahëshe, por me një zemër.
-E pastaj? - ja një pyetje idiote, që tashmë nuk e kafshonte dot me gjuhën e mendimeve,- Unë as që e kam besuar ndonjëherë atë teori. Ndoshta më quan gënjeshtare, sepse ashtu siç je ti, një shpirt i endur nëpër kohëra dhe shpirtra të trazuar, edhe mund të kesh ndier ndonjëherë gjetje të miat në këtë teori, por tani kam argument të fortë dhe bindës të të mbush mendjen se je gabuar. Ashtu shumëshekullor siç je, them se ideja jote, që njerëzit rendin për të gjetur gjysmën tjetër, se më parë na paskëshin qenë dy në një, është tërësisht një absurditet. Madje, madje, tani që e mendoj më qartë, më duket si ofertë marketingu: “Paguaj një të marrësh dy”. Ne, tashmë jetojmë në kohëra moderne, kohë kur romantikja dhe dashuria sublime kanë marrë fund.
-Por më parë besoje!
-E pastaj?! Tashmë çdo gjë është tjetërsuar. Dhe mos më thuaj se ky është dënim prej zotave. Vetëm ti mund ta besosh një gjë të tillë. Vetëm ti mund të besosh se njerëzit e lashtë nuk kishin nevojë të bënin seks, sepse ata ishin të bekuar me trupin e tyre me dy fytyra; mashkull, femër, me të dyja sekset dhe se këtë të fundit nuk e ndienin ndonjëherë të nevojshme dhe nuk e kishin provuar kurrë, pasi ishin gjithë kohën të mbrujtur dhe mbarsur me dashuri fizike.
-Tashmë mungon përqafimi. Duart zgjaten drejt njerëzve të gabuar dhe ashtu të paplotësuar, nuk mund të gjejnë veten tek tjetri. Ose ndodh...
-Ndodh e kundërta?! Ashtu si unë që e kam gjetur binjakun tim, gjysmën tjetër që më është ndarë prej trupit shumë e shumë shekuj më parë dhe tani nuk mundem të gjej forcën për ta përqafuar dhe shtrënguar fort? Këtë dëshiron të thuash?! Nuk e di, i dashur filozof, por më dukesh shumë i vjetruar, sepse na ndajnë më shumë se dy mijë vjet. Tashmë gjithçka ka marrë të tatëpjetën dhe unë nuk besoj tek asgjë e mëshiruar. Nuk jam e lindur për dashuri. Jam qenie e vogël, tradhtare, ledhatare ndaj mëkatit, kokëforte ndaj të ashtuquajturës dashuri.
Ndjeu se të ftohtët i kishte hyrë në palcë. Uji i ngrohtë ishte shkarkuar i gjithi e bashkë me të edhe shpirti i saj. Ndihej e plakur, bosh dhe e tepërt. Të pranonte jo të vërtetën si kusht për të jetuar, për të gjithmonë kishte qenë një kundërvënie në mënyrë të rrezikshme ndaj ndjenjave të zakonshme me vlerë, dhe këtë gjë pak herë e kishte bërë gjatë 30 vjetëve të jetës së saj, por e kishte urryer edhe në jetët e tjera që ndoshta kishte jetuar. Tashmë ishte në të njëjtat pozita. Qenia e saj po guxonte ta bënte këtë gjë dhe ajo ndiente se ishte përtej gjithçkaje; përtej së mirës dhe së keqes, përtej… po fliste në mënyrë të pavullnetshme!
Do të donte të shihte përtej gjithçkasë. Aty ku as brishtësia e lotit nuk mund ta prekte, ku akullnajat nuk ekzistonin dhe dielli nuk shndriste. Hëna, yjet, shiu, pasionet e jetës së saj, të mos krijonin gjendje. Përtej asgjësë, askushit dhe gjithçkaje. Ishte apo donte të ishte? Gjendej apo donte të mos gjendej? Jo, s’kishte më asnjë kuptim… tradhtoi dhe e kishin tradhtuar. Tradhtuar prej tradhtisë së saj. Tradhtuar prej tradhtisë të tij.
Qarku i Papezit po luante me të si një fëmijë me kuba. Filloi të ndërtonte gjithçka nga e para, sipas rendit alfabetik të ngjarjeve, por jo për të gjetur fajtorin, as për t'u shfajësuar; thjesht u kujtua se nuk e njihte mirë veten. I duhej një takim i madh me atë grua të panjohur.

Tiranë, 2008

No comments:

Post a Comment