E keqja e mirësisë

Sikur mos t'i kisha parë ata sy...
Errësira ish derdhur ngadalë dhe toka ende avullonte zagushinë e ditës. Edhe unë avulloja, jo aq nga vapa, sa nga trishtimi dhe dhembja. Po ktheheshim nga spitali, ku ish shtruar daja. Koha mbushej me ecejaket e vazhdueshme shtëpi-spital-shtëpi e ndonjë kafe aty-këtu, sa për të zbutur shpirtin dhe çlodhur mendjen. Kur e shihja atë burrë të pashëm e me thinja fisnike të vuante në shtrat, më kujtohej koha e tmerrshme e dhimbjeve të nënës sime dhe sytë e saj që luteshin për prehje. E mblidhja veten e kohë pas kohe, me stërmundim të madh, bëja humor me dajën, për ta nxjerrë disi nga kllapia e hutimi.

Akrepat kishin puthur dhjetën me kohë, ndaj po nxitonim për te fëmijët. Kur po kthehesha te "Bërryli" drejt Urës së Tabakëve një djalë me motor, që vinte nga ana tjetër e rrugës, hyri me shpejtësi e në çast frenoi paralel me ne. Isha brenda rregullave dhe kisha përparësi kalimi, megjithatë frenova. Ktheva kokën nga motoristi, si për t'i thënë se ishte në kundërvajtje, por te sytë i lexova pyetjen: "A mund të kaloj?" I bëra shenjë të kalonte. Sikur më zbutën ata sy lutës, që rrallë herë i ndesh nëpër rrugë, aq më tepër kur bëhet fjalë për meshkuj në timon. Në çast motori u zhduk mes trafikut.
Vazhdova drejt, por në gjysmë të rrugës, drejt shtëpisë së motrës, trafiku u rëndua pak e nga pak, derisa makinat ndaluan fare. Askush nuk lëvizte, ndaj fika makinën; kush e di sa do rrinim aty. Ndërkohë ime motër vazhdonte të tregonte një histori të trishtë. Më kaploi një ndjesi e keqe.
- Diçka do të ketë ndodhur, - i thashë Bonës.
Vargu i makinave sa vinte e shtrëngohej. Dikush para meje, për të parë më tej, kishte nxjerrë thuajse gjithë trupin jashtë dritares. Një tjetër me këmbët e mbështetura në shkallaren e fuoristradës zgjatej të shihte përtej kolonës së gjatë. Fillova të dridhem. Mu kujtuan sytë lutës të djaloshit me motor. Lëviza tri herë vendit (një zakon i hershëm ky, që në fakt më duket sikur më shkëput pak nga mendimet e këqija) dhe u luta që parandjenja të më gënjente.
- Do Zoti s'ka ndodhur ndonjë aksident!- ia priti ime motër - I kam merak këta që lëvizin rrugëve me motor. Tek rruga ime sot ndodhën dy fatkeqësi. – vazhdoi ajo - Në mëngjes u aksidentua një grua rreth të dyzetave dhe pasdreke, një vajzë 22-vjeçare u hodh nga kati i gjashtëmbëdhjetë i "Sky Tower". Përditë lajme të këqija ka, por kjo dita e sotme qenka edhe më e mbrapshtë. 
Ia shpreha parandjenjën e keqe për motoristin që na preu rrugën. Ankthi im iu ngjit edhe asaj, që është shumë më e ndjeshme se unë; qoftë edhe gjëja më e vogël e bën të ndihet keq.
Ah, sikur mos t'ia kisha hapur rrugën, mendova.
Dikur makinat filluan të lëviznin ngadalë. Përpara ambulancës së lagjes, te Ura e Tabakëve, ishte grumbulluar një turmë e madhe njerëzish, policësh dhe autoambulanca, që kishte ndezur sirenat. Nuk e di në e pashë vërtet apo pavetëdija ime formoi figurën e një motori shtrirë mbi asfalt.
- Mossssss! - klitha - Është ai! Është ai, djali me motor.
U trondita edhe nuk po qetësohesha dot. Ime motër më tërhiqte vëmendjen se mos e humbja toruan dhe lija timonin e makinës.
- Mossss, përse, përse? Përse ia hapa atë dreq rruge?! Ndoshta tani do të ishte shëndoshë e mirë. Përse?!
Përpara më dilnin veç sytë e tij lutës.
S'kisha ç'të lusja më Zotin që të mos ish ai; në mos djaloshi me motor, dikush tjetër ishte shtrirë në mes të rrugës, ndaj ngelej veç: "Shpëtoje Zot!".
Më tej rruga vazhdoi si zakonisht. Lashë Bonën në shtëpinë e saj dhe kur u ula më në fund në shtëpi, para televizorit, te lajmet u tha se djaloshi veç ish plagosur. U lehtësova disi!
Ah, sikur mos t'i kisha parë ata sy!

Me një cigare në dorën që më dridhej akoma u betova se s'do t'ia hapja më rrugën askujt; nuk do ndërhyja më në fatet e të tjerëve. Dashje pa dashje, edhe me dëshirën më të mirë në shpirt, mund të fshish diçka e të shkruash diçka tjetër. Një dorë e çuditshme të bën përgjegjës për gjëra që nuk kanë të bëjnë me ty, ndaj, tani e tutje rastësia mund të bëjë dhe pa ndjenjat e mirësinë time.

No comments:

Post a Comment