Frikë nga malli

Frikë?
E çfarë tjetër?
Netëve, duke dihatur nga malli për ty
Ndjej frikën të më presë si brisk i vjetër.
Drithërohet trupi
Zemra kur s’të ndien
Ftohet dora, akull
Nderur në pritjen e gjatë!

E keqja e mirësisë

Sikur mos t'i kisha parë ata sy...
Errësira ish derdhur ngadalë dhe toka ende avullonte zagushinë e ditës. Edhe unë avulloja, jo aq nga vapa, sa nga trishtimi dhe dhembja. Po ktheheshim nga spitali, ku ish shtruar daja. Koha mbushej me ecejaket e vazhdueshme shtëpi-spital-shtëpi e ndonjë kafe aty-këtu, sa për të zbutur shpirtin dhe çlodhur mendjen. Kur e shihja atë burrë të pashëm e me thinja fisnike të vuante në shtrat, më kujtohej koha e tmerrshme e dhimbjeve të nënës sime dhe sytë e saj që luteshin për prehje. E mblidhja veten e kohë pas kohe, me stërmundim të madh, bëja humor me dajën, për ta nxjerrë disi nga kllapia e hutimi.

Grua për t'u njohur

Hapi sytë dhe ndjeu se një vrushkull i ngrohtë gjaku i shpërtheu nëpër kofshë. Ç'bezdi! Gjithmonë i kishte ndjerë bezdisëse ato fragmente jetësore të ciklit të çdo femre, ndonëse ishte e vetëdijshme për të mirat e tyre. Mezi duronte aromën e trupit dhe pecetat higjenike në ato gjashtë ditë të muajit. I dukej sikur me to nuk do të mësohej kurrë.
Në një gjendje tjetër do t'i qe kujtuar dita e parë e prezantimit me këtë fenomen femëror; hutimi dhe frika që pat ndier, por atë mëngjes, jo. U kujtua se duhej të lumturohej për atë surprizë. Po po, duhej të lumturohej vërtet. Jo se nëpërmjet kësaj sajese të natyrës do mund të shpëtonte prej diçkaje të pakëndshme, por... gjithsesi, tani që po e mendonte mirë, ishte pikërisht ashtu... Do shpëtonte! Natyra i kish ardhur në ndihmë. Shpëtim i një tjetër lloji që kishte ndier sa e sa herë më parë, në kushte dhe gjendje të tjera; kur i trembej shtatzënie të mundshme; shtyrjen e datave për t’iu kënaqur plotësisht një udhëtimi të bukur apo pushimeve në plazh, e të tjera ditë si këto. Këtë herë ishte ndryshe.